4.21.2017

Pislleqët pro jugosllave

Loja e pisët e bashkimit dhe krijimit të Jugosllavisë së Re!

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Oponioni publik është ballafaquar këto ditë me dy teza-projekte sa i përket rajonit, Kosovës dhe Shqipërisë. Njëra u lansua në Beograd nga presidenti i sapo zgjedhur, Aleksandër Vuçiç, dhe tjetra në Tiranë e Prishtinë përkatësisht nga dy protagonistët politikë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Hashim Thaçi.
Presidenti i Serbisë foli për krijimin e “Jugosllavisë së Re”, brenda së cilës do të ishte dhe Shqipëria. Ndërsa Kosova shihet prej tij si pjesë e Serbisë, jo e kësaj të ashquajture Jugosllavi. Zoti Vuçiç ishte jo vetëm i qartë në qtë që deklaroi, por shpalosi modelin, të cilit do t’i përmbahej. Ky model, sipas tij, do të ishte Josip Broz Tito, çka do të thotë se zoti Aleksandër synon një AVNOJ të dytë. “Unë do të bëj atë që Tito ka bërë për Jugosllavinë”, tha Vuçiç, para dhjetë ditësh, duke promovuar projektin e Jugosllavisë së Re.
Ndërsa në Tiranë dhe në Prishtinë këto ditët e fundit dëgjojmë sërishmi që zoti Rama dhe zoti Thaçi të “kërcënojnë” BE-në me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke përdorur kështu një retorikë nacionaliste. Pas kësaj dalldia e bashkimit kombëtar i ka përfshirë sa e sa shqiptarë, thjesht për faktin se të gjithë e duan këtë bashkim. Por ka dhe prej tyre që e lartësojnë idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë me qëllim që t’i japin “rolin e Skënderbeut” zotit Rama dhe zotit Thaçi, pavarësisht se Skënderbeu kishte bashkuar një territor shqiptar më të vogël sesa territori i Shqipërisë së sotme.
Ndërkaq në Beograd kanë bërë kinse janë revoltuar. Ministri i Jashtëm, Daçiç, pasi i këndoi me mandolinë Ramës në ditëlindjen e tij, kritikoi Perendimin pse ky nuk reagon ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar. Kurse Vuçiç, për t’i dhënë fuqi patriotike dy miqve të tij, njërit në Tiranë dhe tjetrit në Prishtinë, paralajmëroi  se këta nuk guxojnë më të flasin për bashkim të Shqipërisë. Një lojë e pisët sa vetë jeta politike në Ballkan. Një akord i programuar aq perfekt sa ta besojnë edhe mbimesatarët në intelekt. Rama e Thaçi shpallen patriotë e nacionalistë te shqiptarët, Vuçiçi në Beograd blindohet gjithashtu si ultranacionalist serb. Dhë kësaj përralle do t’i shtohen të tjera në një mijë e një netët e ardhshme. Megjithëse Beogradi e di se këto janë retorika boshe të dy liderëve kryesorë në Tiranë e Prishtinë, politikanët serbë do të donin që sa më shpejt, mundësisht nesër, të kryheshin të gjitha veprimet administrative praktike të këtij procesi, sepsë qëllimi i tyre nuk është Kosova, është Mitrovica. Madje propagandë e kanë edhe manastirin e Deçanit, edhe Patriarkanën e Pejës. U mjafton Mitrovica me pasuritë e saj miliardëshe. Në rastin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ende pa qenë Kosova anëtare e OKB-së, e kanë atë në xhep.
Gara është epike, e stilisur me shumë fantazi në diskursin e dy protagonistëve kryesorë të politikës së sotme shqiptare. Madje është një garë me shumë dimensione, dimensionin e mesisë ndër shqiptarët, të kërcënimit ndaj europianëve, por edhe të mesazhit në stilin e formulës “Ballkani i përket ballkanasve”, Ky dimension synon të kundërshtojë prezencën e amerikanëve në rajon. Dmth e shumta një dezhavu e Jaltës.
Nga e gjithë kjo që ndodh, më duhet të shpreh disa të vërteta të hidhura, por të pakontestueshme.
1. Kush lufton për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pa bashkuar më së pari Kosovën me veriun e saj dhe pa e njohur ndërkombëtarisht sovranitetin e saj në të gjithë territorin, ai bën lojën diversive të Serbisë për zhvatjen e territoreve shqiptare. Rama dhe Thaçi kanë aftësi politike që ta kuptojnë këtë lojë. Nëse e kuptojnë dhe luajnë muzikën e Daçiçit, i cili ka thënë se “Mua nuk më intereson se shqiptarët bashkohen apo ndahen, mua më intereson që serbët të bashkohen”, atëherë ne të tjerët duhet të vetëdijësohemi për t’u treguar vendin.  Thirrjet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ende pa u bërë Kosova anëtare e OKB-së është tradhëti kombëtare jo vetëm se ka kosto ndarjen e saj. Eshtë e tillë, sepse Beogradi deklratat e Ramës e të Thaçit do t’i përdorë me partnerët e tij si alibi të mos njohjes së shtetësisë së Kosovës. Kush budalla nuk e kupton që liderët serbë kur takohen me homologët e tyre nuk nxjerrin nga çanta të tilla deklarata, për t’u thënë atyre “Prisni, mos e njihni Kosovën, se mund të ketë një projekt të ri për rajonin, Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë e pastaj njohja ju shkon kot”?! Nga ana tjetër në Beograd bëhen si të brengosur! Por “brengosja” është një shfaqje teatrale për elektorat nacionalistësh!

2. Rama nuk ka reaguar ndaj deklaratës së mikut të tij, Aleksandër Vuçiç, sa i përket idesë së Vuçiç për krijimin e Jugosllavisë së Re, duke përfshirë Shqipërinë në të. As nuk e ka kundërshtuar atë. Pëkundrazi në Sarajevë hodhi propozimin e një tregu të përbashkët ballkanik, i cili shihet si hap i ndërmjetëm për krijimin e Jugosllavisë së Re. Edhe kjo shihet si një rikthim në vitin 1947, kur diktatori Hoxha nënshkroi bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë e Titos. Por tani, në kushtet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duket se Beogradi me një gur dëshiron të vrasë dy zogj: Të rikthejë më ndihmën e Tiranës së paku një pjesë të territorit të saj në Republikën e Serbisë dhe ta bashkojë Shqipërinë më Jugosllavinë.
Ndërkaq zoti Rama reagon për një pordhë të Lulzim Bashës, por jo edhe për një bombë që lëshon presidenti i Serbisë kundër interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Edhe pse në Prishtinë reaguan dhe e hodhën poshtë këtë opsion të rikonfigurimit të Jugosllavisë së Re, qeveria e Tiranës heshti. Pse heshti? Sepse ky projekt i është dhënë Ramës dhe Vuçiç në dorë në në Paris dhe në Berlin, në këmbim të përshpejtimit të integrimit europian. Një analist afër Ramës thoshte mbrëmë në opinion se Shqipëria e Serbia duhet të integrohen në një hap në BE. Kjo do të thotë se dy koordinatorëve të projektit të Jugosllavisë së Re ua kanë pre modelin dhe treguar intenerarin e asaj çfarë ata do të duhet të bëjnë.
Tani opozita shqiptare në Tiranë, por edhe kundërshtitë e Prishtinës, duket se krijojnë premise për ta hedhur në erë projektin e Jugosllavisë së Francës e Rusisë, ose të Ramës dhe Vuçiç. Prandaj dhe BE ngadalësoi integrimin e Shqipërisë dhe Serbisë. Prandaj Rama ka të drejtë që akuzon opozitën për bllokim të integrimit. Në fakt opozita po bllokon projektin e kryeministrit tonë për ta fut Shqipërinë dhe shqiptarët në një Jugosllavi të Re, ku do të sundojë Beogradi.
Kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë u mbështetën nga Europa prosllave ose e interesuar për ekuilibër forcash në Ballkan, dhe në këtë ndërmarrje ata morën zotim të realizojnë fillimisht “vëllazërimin shqiptaro-serb”, më pas “Tregun e Përbashkët Ballkanik” e në fund Jugosllavinë e Re. Prandaj zoti Rama mori Legjionin e Kalorësit të Nderit nga presidenti francez dhe u mbështet fuqimisht në përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet nga ana e ministrit gjerman të Punëve të Jashtme para disa ditësh. Ky është shkaku kryesor pse në Europë protesta e opozitës shqiptare nuk gjen mbështetje të gjerë. Përveçse austriakëve dhe vendeve skandinave e lindore, vendet e tjera e inkurajojnë krijimin e një Jugosllavie të Re me mbështetjen e Shqipërisë, duke e parë atë si “zgjidhje” për konfliktet ballkanike. Të interesuar janë Franca e Italia, por edhe Spanja dhe gjysma e Gjermanisë.
Këto vende pranojnë që kryeministri i Shqipërisë t’i ndot ato me hashash, vetëm që të realizojnë një projekt të tillë. Të jemi të qartë: Franca është ndjerë e fyer nga shpërbërja e krijesës së saj, Jugosllavisë, prandaj insiston që ajo të ribëhet. Italia ka interesa në një Jugosllavi, sidomos pa Slloveninë. Ndërsa Gjermania beson se një Jugosllavi e Re do të krijojë ekulibrat gjeopolitikë të pas Luftës së Dytë Botërore dhe do të sjellë paqe në rajon.

3. Një Jugosllavi e Re nuk përfundon këtu. Ajo ka për qëllim largimin e influencës amerikane në Ballkan. Parisi është shumë aktiv për ta realizuar këtë. Berlini mund të besojë se duke larguar amerikanët i nxit edhe rusët të ikin prej këtej. Por historia është e pamëshirshme. Nuk po shkojmë deri te Kriza Lindore e kohës së Kongresit të Berlinit, as te Luftrat Ballkanike. Gjermania ka mundësi të nxjerrë mësime nga kriza në Gjeorgji dhe Ukrainë e të mos jetojë me iluzionin se Rusia do të ndalet në diversionin e saj për zona influence e hegjemoni në Ballkan. Një Jugosllavi me shumicë sllave e me Serbinë në ballë të oxhakut është garanci e mjaftueshme për prezencën ruse në Ballkan, madje për dominimin e saj. Të joshesh pas këtij lloj ekuilibri është sa e rrezikshme, aq dhe e dëmshme për interesat shqiptare në rajon.
Po pse u gjet Rama të aktivizohet në këtë projekt, pse jo, psh Basha, Berisha a ku e di unë se kush? Sepse Rama dhe partia e tij janë ende nostalgjikë të doktrinës serbe “Ballkani ballkanasve”. E keni parë si shfaqet zoti Rama: “Nëse nuk na pranoni, madje me urgjencë në BE, këtu përfitojnë aktorët e tretë”. Kush janë të tretët veç BE-së? Ai thotë Rusia, por mos harrojmë dhe SHBA-të dhe Turqinë! Pra zoti Rama e di se Europa nuk e dëshiron as Amerikën, as Turqinë në Ballkan. E dëshiron 100 për qind për veten e saj. Kësaj loje të fëlliqur, së cilës ia kemi parë sherrin për më shumë se 100 vjet, duhet t’i jepet fund. Janë shqiptarët ata që duhet t’i tregojnë vendin Ramës e kujtdo tjetër që i merr ata për budallenj e madje ju shet patriotizëm, duke mbajtur ngrefur gishtin e mesit të dorës!
Edhe sikur të vijë Rusia në Beograd, Amerika dhe jo Europa do të duhet të jetë në Mitrovicë, në Kumanovë, në Luginën e Vardarit e të Moravës (Preshevë), në Ferizaj, në Shkup e deri në Konsipol. Vetëm si aleatë të përhershëm, të sinqertë dhe të devotshëm më Uashingtonin do të mund t’i themi jo projekteve të Parisit, Beogradit e Moskës për një Jaltë të dytë e një Jugosllavi të Re, ku të bëjë pjesë edhe Shqipëria.

Tiranë, 21.04.2017

4.20.2017

Nga e hëna protesta në gjithë vendin, bllokim trafiku dhe…rënja definitive e Qeverisë Rama …

Pas dy muajsh në çadër, Partia Demokratike po mendon të përshkallëzojë protestën e saj për zgjedhjet.


Vendimi nuk është marrë akoma, por kreu i opozitës Lulzim Basha e diskutoi përhapjen e protestës në disa pika të ndryshme të vendit, në një takim me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike.

Njëri nga opsionet është bllokimi i disa akseve kombëtare, por mbledhja nuk mori vendim se cilët do të jenë këto akse dhe kur do të bllokohen, raporton Tch.

Opsioni i përshkallëzimit të protestës së opozitës përkon me vizitën disa orëshe të martën në Tiranë të negociatorit gjerman David McAllister.

Përpara vizitës së negociatorit gjerman, ish-kryeministri bëri një paralajmërim: Askush më shumë se ne nuk e do stabilitetin, por ne kemi bindjen më të thellë se pa votë të lirë nuk ka stabilitet”, tha Berisha.


Nga e hëna protesta në gjithë vendin, bllokim trafiku dhe rënja definitive e Qeverisë Rama …



Kreu i PD Lulzim Basha ka mbledhur në një takim që ka zgjatur 30 minuta aleatët tek selia e partisë, ku eshte vendosur se PD do te zhvilloje protesta në çdo qytet javën tjetër.Burimet thanë se protestat në rrethe do të mbahen paralelisht me ato në cadër.

Mësohet se strukturat e PD do jenë në Kavajë 3 ditë para protestës e cila do të mbahet për zgjedhjet e caktuara për Bashkinë e qytetit.

Më herët kreu i PD pati një takim edhe me kryetarët dhe sekretarët e PD-së në rrethe për të diskutuar rreth protestës në ditët në vijim.

Teksa nga çadra e protestës, Basha tha: “Sot dua të njoftoj se opozita e bashkuar me në krye PD ka vendosur intesifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë.

Duke ruajtur si pishtar si monument çadrën e lirisë 24 orë në ditë, por duke e shtrirë në mbarë vendin.
Ditën e hënë të gjithë shqiptarët bashkohemi mes orës 11 dhe 12 në bllokimin e trafikut në të gjithë Shqipërinë.

Do ketë qëndresë deri në themelin e republikës së re për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është fillimi i një aksioni i cili do të përshkallëzohet deri me datë 7 Maj, për të mos ia dorëzuar më Kavajën krimit, për ti thënë sot krimit dhe kriminelëve në Kavaje dhe në të gjithë Shqipërinë”.

Martesat në luftë – “Si i mashtronin vajzat e mitura partizanët e martuar”

 Nga Panorama 



Autori Nuri Dragoj është i njohur për botimet që ka bërë për shkrimtarin Kasëm Trebeshina. Pas dy veprave të para për të realizoi edhe të tretën, “Kasëm Trebeshina, një jetë para gjyqit”.

“Duke shfletuar arsenalin e plotë të biografisë së Trebeshinës, duke u konsultuar gjithashtu edhe me dëshmitarë të ndryshëm okularë të asaj periudhe, disa prej të cilëve janë edhe pjesëmarrës në ngjarjet që përshkruhen në faqet e librit. Pas plotësimit të njohurive, vetvetiu u pa i nevojshëm kompletimi i librit me fakte të dokumentuara dhe ngjarje reale, të cilat ndodhen në procesverbalet e protokolluara të dosjes së tij.

Pas një pune të disiplinuar hulumtuese trevjeçare, sot ndihem i kënaqur dhe njëkohësisht i emocionuar që po i paraqes lexuesit shqiptar botimin e dytë dhe relativisht të plotë të biografisë së shkrimtarit disident, Kasëm Trebeshina”, ka thënë autori. Kemi shkëputur sot prej këtyre hulumtimeve disa fakte me interes për lexuesin.

Martesat mes të rinjve partizanë; dëshirën e tyre për t’u celebruar në luftë, atje, mes maleve; ndikimin që kishte hierarkia e drejtuesve në zgjedhjen e grave etj.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe janë bërë edhe disa nga martesat e lidhjet më të njohura të komunizmit sepse ishte koha kur Enver Hoxha i kishte propozuar për martesë Nexhmije Xhunglinit, kur Mehmet Shehu kishte bërë për vete Fiqereten, (pas fejesës së saj të parë me Ludovikun), kur Hysni Trebeshina, megjithëse i martuar dhe me një fëmijë, kishte filluar t’i vinte syrin Vito Kondit, kur Nako Spiru dashuronte Liri Belishovën etj.

KUNDËR MARTESËS ME VENDIM PARTIE
Ajo që ndodhi me punimet e Kongresit të Rinisë Komuniste në Helmës i plotësoi parametrat e një melodrame dhe komedie, e cila pa dyshim që do të mbahet mend gjatë. Më tepër sesa një shpalosje platformash për luftën, ky kongres do të shërbente si paradë vajzash e djemsh, të cilët nga salla e Helmësit do të shkonin në gjendjen civile për të kërkuar celebrimin. Parulla e partisë dhe direktiva e PKSH-së ishte që në atë kongres rinia të mbarsej me idealet më të larta komuniste, por aty ndodhi diçka tjetër.

Shumë nga vajzat pjesëmarrëse mbetën me barrë pas kontakteve seksuale me komandantë e komisarë të çetave e batalioneve. Nëntë muaj pas Kongresit të Helmësit, disa prej ish pjesëmarrëseve të këtij kongresi lindën fëmijë të bukur, të cilëve u vunë emrat Partizan, Fitore, Kongres, Stalin, Trim etj. Baballarët e tyre të vërtetë ndofta nuk u morën vesh kurrë saktësisht, por në gjendjen civile të mëvonshme gjithçka u regjistrua sipas rregullave.

Disa prej vajzave e djemve të partisë për herë të parë po e kuptonin në këtë kongres se ç’do të thotë të rënkosh nga lumturia. Kishte nga ato çifte që gdhiheshin jashtë tërë natën dhe pastaj, në mëngjes, me sytë e zgurdulluar nga pagjumë- sia mbështesnin kokën mbi pëllëmbët e duarve e flinin gjatë punimeve të Kongresit. Edhe ata që dinin shkrim e këndim, gjatë atyre ditëve nuk shkruanin gjë tjetër veçse letra dashurie, duke vepruar njëlloj si të rinjtë e sotëm në mesazhet e celularëve. Sepse, më në fund, në gjirin e këtij kongresi u shfaq e dukshme gara e meshkujve për t’u lidhur me femra të bukura, të cilat ndodheshin në radhët e ushtrisë partizane.

Madje, kjo garë në qarqet e larta kishte filluar shumë kohë më parë, kur Enver Hoxha i kishte propozuar për martesë Nexhmije Xhunglinit, kur Mehmet Shehu kishte bërë për vete Fiqereten,(pas fejesës së saj të parë me Ludovikun), kur Hysni Trebeshina, megjithëse i martuar dhe me një fëmijë, kishte filluar t’i vinte syrin Vito Kondit, kur Nako Spiru dashuronte Liri Belishovën etj.

Në atë kongres, së bashku me fishekët, vajzat filluan të mbanin në xhepa ndonjë copë xhami a pasqyre, ku ato shikonin herë pas here fytyrën dhe krehjen e flokëve. Dhe, megjithëse punimet teorike të këtij kuvendi kaluan mirë, fill pasi shkuan nëpër çetat partizane, shumë prej vajzave u filluan të vjellat. Kjo ndodhi sepse ato ishin duke pritur fëmijën e parë në jetën e tyre, si edhe për faktin se kushtet e luftës ishin të papërshtatshme për lindje fëmijësh.

Dashuria është e bukur dhe në thelb përbën kulminacionin e ndjeshmërisë pozitive të universit, por vajzat e bukura në batalion, si edhe dashuria në mes të luftës përbëjnë një dëshpërim për komandantët që mendojnë natë e ditë mbi strategjitë e përballjes me armikun. Ndofta në vijat e luftimit kjo ndjesi dashurie për çiftin bëhet akoma më emocionante, por për shumë komandantë të luftës ajo përbën një lloj tradhtie ndaj qëllimit të përbashkët.

Për këtë arsye, kur Kasëm Trebeshinës i kërkuan të caktonte një delegacion për në kongres, ai as që e vuri ujin në zjarr. Ua la të tjerëve që ta gatuanin edhe kësaj here çorbën dogmatike, siç kishin bërë gjithmonë… Celebrimet e të rinjve të Kongresit që donin të krijonin familje në mal. Ai kishte ndjeshmërinë të kuptonte se nga ky organizim nuk do të kishte asgjë pozitive për mbarëvajtjen e luftës.

Madje, ai gati e dinte se femrat që kthehen zakonisht nga kongreset nuk kanë më nevojë për komandantët e luftës, por për mamitë e materniteteve. Por Kasëmi nuk i pengonte dot dhe as që kishte ndërmend t’i pengonte këto organizime formale.

Kështu që djemtë e vajzat e tij vajtën në Helmës, ku bënë dashuri dhe, sapo u kthyen, kërkuan të bënin celebrimin. Kur Kasëmi thirri dy prej kapitenëve për t’i pyetur se çfarë kërkonin që të përsosnin armatimin e luftës, ata iu përgjigjën: Ne duam të bëjmë celebrimin me dy nga partizanet tona. Kjo ishte e tepërt. Për një njeri që dashurohet marrëzisht me misionin e patriotit, dashuria seksuale përbën një atavizëm.

Sipas tij, gjithçka do të kishte kohën e vet më vonë, por tani të gjitha energjitë duheshin harxhuar për çlirimin e atdheut. Ndërsa celebrimi në çetë ishte një teprim që nuk mund të tolerohej. Vërtet në Helmës qe vendosur të lejoheshin martesat, por si mund të krijohej familja në mal? Po fëmijët që mund të lindnin? Familja është e shenjtë dhe nuk mund të krijohet me direktiva, në mënyrë kolegjiale.

Por ky kundërshtim, si shumica e opsioneve të tij në luftë, iu mor për ters nga udhëheqësit politikë. Por ai qe i vetëdijshëm se këto lloj martesash ishin prologu i shkatërrimit të familjes, i rënies së saj në grackën e korruptimit moral. Udhëheqësit komunistë, njësoj si sulltanët e haremeve mesjetare, i bënë të lumtur skllevërit e revolucionit të kuq, duke i martuar lehtë, nën dritën e hënës dhe krismat e dyfekëve. Sipas Trebeshinës, Kongresi i Helmësit ishte pazari ku u shitën dhe u blenë pa pare dhëndurët dhe nuset.

Dhe repartet partizane u kthyen në zyra ku regjistroheshin martesat. Komunistët e gradave të larta morën vajzat më të bukura dhe ato që mbetën u ndanë midis atyre që kishin më pak rëndësi. Asnjë vajzë nuk u martua me ndonjë partizan të thjeshtë.

INTERESAT E FEMRAVE PËR TË ZGJEDHUR BURRA TË PUSHTETSHËM
Hierarkia e gradave, në këmbim me hierarkinë e bukurisë femërore, bënë këmbimin e radhës dhe mrekullinë e asaj idiotësie që nuk mund ta kishte emrin as dashuri, as familje, por ishte një përzierje e padëgjuar më parë dhe prej së cilës rrodhi një deformim i paimagjinuar i moralit dhe sistemit të vlerave të tjera të familjes. Deri tani asnjë shkrimtar dhe asnjë analist nuk e ka studiuar fenomenin e martesave në luftë, ku hierarkia mbizotëron mbi përzgjedhjen e nuseve. Aty është pikërisht momenti ku femrat zgjohen nga idealizmi dhe fillojnë të bëjnë llogaritë për interesat e ardhshme.

Këtu, natyrisht që nuk ka se si përjashtohen edhe instinktet, por për një formacion luftimi, këto kuriozitete do të ishin të tepërta e të panevojshme. Në thelb, vizioni i Helmësit për martesat nuk përbënte asgjë të keqe në lidhje me mjedisin shoqëror, por, në fakt, dëmi u vinte vetëm komandantëve të luftës, ku çiftet do të zhdukeshin për orë e ditë të tëra duke bërë seks, në kohën kur batalioni do të merrte urdhra urgjente për marshime. Ai vetë, duke qenë një nga kuadrot më me përgjegjësi, mund të zgjidhte vajzën më të bukur, por e refuzoi me përbuzje këtë dhuratë të komunistëve shqiptarë, që po e futnin familjen në një krizë me pasoja historike.

Kur i erdhi rasti, mori për nuse një vajzë të mrekullueshme që ia propozoi nëna e tij, e cila i qëndroi në krah edhe në Golgotë, kur kurora me gjemba e revolucionit të kuq i shponte trupin dhe shpirtin! Por, në atë kohë, ai ende nuk e kuptonte se këto ishin deformime të sistemit. Ai besonte se ishin defekte të natyrës njerëzore, e cila duke qenë e dobët, shfaqte simptoma të tilla krize…

Dhe historitë nuk kishin të sosur. Një ditë, i raportuan se një nga kuadrot e batalionit kishte lënë gruan e fëmijët dhe qe martuar me një partizane. Këtë e pati realizuar me ndihmën e një kuadri tjetër, që Trebeshina e kishte nën varësi. Ja ku po e shtynte familjen shqiptare Kongresi i Rinisë Komuniste. Menjëherë urdhëroi arrestimin e tyre dhe mbylljen në kishën e Pilurit. Akuza: poshtërim të familjes, ndërhyrje të turpshme në intimitetin e të tjerëve, në kundërshtim me detyrat ushtarake, korruptim moral dhe mashtrim të një të miture… (vajza që ata e kishin shtyrë në këtë martesë aventuroze ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe).

Sapo mendoi se e mbylli edhe siparin e kësaj historie të turpshme, dikush e lajmëroi se e kërkonin në telefon nga Bolena. E parandjeu se kolegët e tij kishin njoftuar komandën eprore për dy arrestimet që porsa pati kryer. Ngriti dorezën e telefonit dhe… parandjenja u bë realitet. Komandanti i Brigadës, pasi e pyeti për shëndetin dhe situatën në krahinë, ashtu si duke qeshur, i tha që të lironte dy kapitenët. Kasëmi kundërshtoi ftohtë. Iu përgjigj se ishin në një repart ushtarak, në kushte lufte, nuk ishin në një qendër tutorësh e përndjellësish të vajzave të mitura. Ai e quajti atë një urdhër kodoshësh.

MASHTRIMI I NJË TË MITURE GJATË LUFTËS NGA PARTIZANI I MARTUAR
Me gjithë lutjen e tjetrit për t’i liruar dy të burgosurit, Kasëmi nuk u tund nga e veta. Pas një dialogu goxha të gjatë, herë – herë me ton të acaruar, komandanti e urdhëroi Kasëmin në emër të udhëheqjes më të lartë, që së bashku me komisarin e batalionit dhe dy kapitenët e arrestuar, të paraqiteshin nesër në shtabin e Brigadës.

Të nesërmen, Kasëmi dhe komisari hipur mbi kuaj përpara dhe dy kapitenët me duar të zgjidhura në këmbë, mbajtën frymën në Bolenë, drejt e në dhomën ku po i prisnin Vasil Nathanaili, Qemal Klosi dhe Mehmet Jahua. Incidentin e rëndë, me pasoja korruptimin moral dhe degradimin e kuadrit partizan, ata të shtabit, u menduan ta paraqisnin me ngjyra të lehta akuareli, “si një rast normal, favorizuar nga rrethanat e reja që u krijuan pas Kongresit të Helmësit”.

Shoku Vasil i bëri ftesë Kasëmit që të mos e bënte qimen buall, por të pajtoheshin dhe të shkonin si miq të mirë në front. Kasëmi nuk u tund nga fakti se vajza ishte e mitur dhe mashtrimi i një të miture, veçanërisht në rrethanat e luftës, përbënte një krim të rëndë. Ndërhyrjeve ironike të anëtarëve të shtabit ai u kundërvuri argumentin politik, se komisari i kompanisë i ishte imponuar me dhunë psiqike vajzës së vogël, në emër të partisë.

Por ata nuk donin t’ia dinin. Ngjarjen e quajtën një incident pa rëndësi që, gjithsesi, nuk mund ta cenonte kompaktësinë e batalionit. Donin ta mbyllnin gjithçka me një drekë pajtimi, ku bashkë me gllënkat e pijeve, ata të kapërdinin dhe komedinë e radhës dhe kaq. Kasëmit nuk i mbetej veçse t’i komandonte përsëri dy aventurierët, pa i rrofshin prangat me të cilat i pati lidhur në kishën e Pilurit! Këtë ai nuk mund ta kapërcente.

Me një qetësi apostolike, u ngrit në këmbë, hoqi me kujdes armët dhe i lëshoi përtokë. – Ju mund të bëni ç’të doni, – tha duke i mëshuar zërit, – kurse unë po iki në shtëpi. – Ti je i çmendur, Kasëm! – thirri Vasili, gati duke ulëritur. – Ashtu jam, por ja ku i keni armët. Megjithëse ua kam rrëmbyer armiqve e nuk kam marrë asgjë prej jush, po jua dorëzoj, sikur t’i kisha marrë në magazinën tuaj. – Dil pak jashtë dhe prit! – ndërhyri Qemali.

Ai doli jashtë pa armët e tij, pasi përsëriti edhe një herë betimin se persona të degjeneruar nuk mund të shërbenin kurrë nën komandën e tij. Kur hyri prapë brenda, Vasili i tha të merrte armët e tij, se çështja qe mbyllur dhe dy kapitenët do t’i çonin në një batalion tjetër. Por Kasëmi kishte merak të merrte në batalionin e tij një toger, që ishte zënë me eprorët e tij, ngaqë nuk ua duronte paaftësinë, kapadaillëkun dhe shtirjen. Ishte kokëshkrepur, por i drejtë dhe e kishin pëlqyer njëri – tjetrin që në takimin e parë. Ata sikur i pickoi grerëza nga kjo kërkesë e zv.komisarit të Batalionit, por, më në fund, lëshuan pe dhe i thanë se ia kishin falur togerin, mund ta merrte.

Pasdite, së bashku me Komisarin e Batalionit, u nisën për në Spidhe, duke përtypur në mendje secili sipas mënyrës së tij ngjarjet e tensionuara të atyre ditëve… Ndërkohë, askush nuk guxonte të fliste një fjalë të keqe për të. Natyrisht, ndonjë nga krerët e paaftë lëshonin ndonjë tullumbace, por shumë shpejt e tërhiqnin atë, madje kishin dhe frikë nga serioziteti i kuadrit më të ri në moshë.

KASËM TREBESHINA, I VETMUAR MES NJERËZVE

Ndodh ndonjëherë në jetë, kur në mes të një suksesi të madh, njeriu ta ndiejë veten të vetmuar dhe të braktisur. Kjo, sidomos konstatohet te personalitetet e fuqishme, kur sapo është ndier krisja e zhgënjimit. Kështu ndodhi edhe me Trebeshinën, megjithëse në atë periudhë bregu i Jonit, nga Llogaraja në Sarandë, ra në duar të partizanëve.

Gjermanët nuk kishin më asnjë shans që të ktheheshin në këtë parajsë tokësore, të lënë në mëshirë të fatit, që as në ëndërr nuk e kishin parë në vendin e tyre. Anijet britanike hynin e dilnin lirisht në portin e vogël të Spidhesë. Njësia partizane mbajti në Pilur dy kompani, njëra prej të cilave ishte kompania armene. Në Spidhe u dërguan dy kompani të tjera, me të cilat shkoi dhe Kasëmi.

Ai u vendos në një banesë të vogël, me dritare nga deti, që të mund të kontrollonte zonën. Incidentet e fundit, sidomos ngjarja me dy kapitenët pijetarë, krijuan një mur të padepërtueshëm midis tij dhe strukturave politiko – administrative të kohës. Besimi në fenë e re, të cilën ai kurrë nuk e përqafoi plotësisht, u lëkund përfundimisht.

Tanimë ishte i bindur se shoqëria e re që po lindte ishte e krimbur që në embrion dhe frytet e saj s’mund të ishin ndryshe, veçse të krimbura. Korruptimi, imoraliteti, ishin vetë natyra e saj, ndërsa parimet dhe normat vetëm një maskë e keqe. Por thellë – thellë, ai ende besonte se në krye të lëvizjes komuniste botërore kishte idealistë të papërlyer, që, fundja, do të ndërmerrnin ndonjë hap për ta shpëtuar njerëzimin nga kompleksi i instinkteve kriminale, interesi i ulët dhe korruptimi deri në gjenin e ri që po lindte.

INTRIGAT QË FSHIHEN PAS SULMIT NDAJ GJERGJ KASTRIOTIT



Nga ISMAIL KADARE


Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.

Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!

Rrënimi i Skënderbeut është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi.

***
Që Mithat Frashëri e hodhi për herë të parë e, me sa duket, të fundit, këtë dëshirë të tij teatrore, në vitet tridhjetë, dëshmonte se dy çështjet që do të përcaktonin fatin e mëtejshëm të kombit: shkollat shqipe dhe emancipimi i gruas shqiptare (të dyja të zhytura në terr prej osmanllisë) ishin ende probleme të ditës, madje do të vazhdonin të ishin të tilla në të ardhmen.

Mithat Frashëri, i fajësuar me gjithë koleksionin e akuzave, të cilat njeriu shqiptar, për fat të keq, i përdor aq bujarisht, i himnizuar me koleksionin tjetër, të kundërtin, si “gjeni i kombit”, që njeriu shqiptar, përsëri për fat të keq, i përdor aq koprracisht kur duhet, e aq pa vend kur nuk duhet, ka shfaqur disa herë parashikime me të vërtetë profetike. Sikur ta ndiente nga do t‘i vinte jo vetëm fatkeqësia e re kombit shqiptar, por atij vetë, vdekja, ishte i pari njeri në botë që gjeti një fill bashkues midis ngjarjeve të 1917-ës në Rusi dhe rebelimit proturk të Haxhi Qamilit në Shqipëri, katër vite më parë, më 1913!

Si një paralajmërim ndëshkimi për atë profeci, dy vite përpara vrasjes në Nju-Jork, armiku numër një i Frashërit, shefi i komunistëve shqiptarë, shkroi të vetmen sprovë historike, kushtuar Haxhi Qamilit, ku, në kundërshtim të plotë me gjithë mendimin shqiptar, e himnizonte të çmendurin mizor nga Sharra, që nën zhurmën e daulleve dhe ulërimave “Dum Babën!” (lexo Sulltanin) kërkonte kthimin e Shqipërisë nën sundimin osman.

Kjo kundërvënie e dy personazheve rrotull psikopatit turkofil ishte kuptimplotë. Ajo dëshmonte se sundimi osman në Shqipëri ishte më keq se një sundim ushtarak. Ajo dëshmonte synimin osman, jo thjesht për ta mbajtur të sunduar Shqipërinë, por për ta zhbërë si të tillë.

Turqizmi i popullit shqiptar ishte projekti më i lemerishëm me të cilin atij i ra fati të ndeshet. Për fat të keq, mekanizmat mbrojtës të tij nuk u treguan të aftë për të shmangur plotësisht të keqen. Për vizionin otoman, ndër popujt e Ballkanit, populli shqiptar ishte ai që ndërkaq kishte vdekur.

Ai përftohej si turk, trajtohej si i tillë, me fjalë të tjera favorizohej si turk, por, ndërkaq, nëse kërkonte identitetin e vet, ndëshkohej egërsisht si turk i pabesë.

Një pjesë e tragjedisë shqiptare ishte pikërisht interpretimi i keq i statusit të tij.

Në vjershën e dëgjuar “Jam turk, elham-dulila”, poeti Esad Mekuli e shpallte me dëshpërim këtë nyjëtim dramatik ku kishte ngecur ende si në kurth njeriu shqiptar. Shumë njerëz bënin pyetjet: përse Shqipërisë i shkojnë punët mbrapsht? Përse për të tjerët po zbardhte liria, e për Shqipërinë jo?

Rilindja shqiptare, bashkë me pararendësit dhe pasrendësit e saj, e kapi hijen e vdekjes që po i vërtitej kombit. Robëria e gjatë po pillte filozofinë e robërisë, ngadhënjimi i së cilës do të ishte shumë herë më fatal se robëria vetë. Shkrimtarët veriorë, Budi, Bardhi, Bogdani, më pas arbëreshët me De Radën në krye, e fill pas tyre vargu i vetë rilindësve, të herët a të vonë, si Naimi, Mjeda, Çajupi, Fishta e deri te Noli, u ranë gjithë kambanave që duhej të zgjonin shqiptarët, për t‘i ngritur kundër robërisë, por sidomos kundër filozofisë së saj.

Për aksionin e saj, dëshpërimisht solemn, Rilindja shqiptare solli në Shqipëri fantazmën e dëbuar, Gjergj Kastriotin, të cilin Europa, për fatin tonë, na e ruajti, jo vetëm në sheshet dhe rrugët e pagëzuara me emrin e tij, por edhe në kujtesën e saj.

Mithat Frashëri ishte njëri nga rilindësit që i jetoi të tria kohët, atë të sundimit osman, të Shqipërisë së pavarur dhe fillimin e komunizmit, asgjësuesin e tij. Koha e republikës së Nolit dhe ajo e mbretërisë së Zogut, e para mjaft e shkurtër, e dyta jo aq e gjatë sa ç‘do të duhej, ndonëse në kundërshtim me njëra-tjetrën në shumë gjëra, u bashkuan në një pikë themelore, njëmendësimin e ideve të Rilindjes shqiptare, dhe testamentin e Gjergj Kastriotit, thënë ndryshe, nxjerrjen e tyre nga statusi idealist e romantik dhe vënien në themel të institucioneve, të filozofisë, të politikës e të strategjisë shqiptare.

Për fat të keq, koha e pavarësisë ishte e shkurtër për t‘ia lënë vendin periudhës groteske të varfërisë, terrorit dhe izolimit komunist.

Pyetjet: përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat, përse të tjerët ecin e ajo ngec, bëheshin tani, me të njëjtin pezm fatalist, ndonëse për një tjetër fatkeqësi.

Ato pyetje do të përsëriteshin më pas, atëherë ku s‘do të duhej, pas rënies së komunizmit. Ato vazhdojnë të bëhen sot, jo vetëm nga mendjet elitare, por nga shumica e shqiptarëve, gjithkund ku ata ndodhen. Përgjigjet për to janë të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme. Pas dy robërive, aq pranë njëra-tjetrës, vizioni shqiptar i botës mbetet ende i turbullt e kaotik.

Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t‘u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit.

Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t‘i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë.
Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se “antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve”.

Emri i këtij rimohuesi është H. Ferraj dhe sa ç‘është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky, e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë!

Për të mos u zgjatur me këtë barbari shembujsh, po e mbyllim me fjalët e një tjetër rimohuesi, prapë nga Kosova, që bën paralajmërimin se të kesh qëndrim mohues ndaj Perandorisë Osmane sot është njëlloj si të sulmosh miqtë tanë amerikanë, që çliruan Kosovën!

Ç‘të thuash për këtë nostalgji të ringjallur befas një shekull pas ikjes së osmanëve?

Ta quash groteske, tragjike, komike nuk mjafton. Të thuash se po t‘i përmbahej programit të Rilindjes, Shqipëria jo që s‘do të bëhej kurrë komuniste, por do të ishte prej kohësh një shtet model në Bashkimin Europian, është prapë pak.

Të thuash se i ashtuquajturi “mit” i Skënderbeut, u ngjiz shekuj më parë kur komunizmi nuk ekzistonte askund, se u sublimua prej Rilindjes dhe pastaj prej kohës së pavarësisë, prej Nolit dhe Zogut, se komunizmi jo vetëm ishte i huaj për të, por në vitet e flirtit me jugosllavët 1946-1947, emri i heroit pothuajse u zhduk nga shtypi shqiptar.

Të vazhdosh me kronikën e asaj që mund të quhet “lufta e shtatoreve”, kur më 1968, qeveria shqiptare bëri çmos që pagëzimi i sheshit “Skënderbe” në Paris, bashkë me shtatoren midis, të mos lejohej prej qeverisë franceze dhe bashkisë së Parisit?

Të vazhdosh me ngritjen e shtatores së shefit të komunistëve shqiptarë, njëzet hapa pranë shtatores së heroit, paralajmërimi i hapur, se Kastrioti do të zhvendosej së shpejti dhe sheshi i parë i Shqipërisë do t‘i përkiste këndej e tutje, patronit të ri komunist? (Brenda tre viteve, historia do të jepte një nga mësimet madhështore të saj, kur princi mesjetar do ta shihte rivalin jetëshkurtër të tij t‘i zvarritej mu përpara syve, krejtësisht në stilin e Mesjetës.)

Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë. Në kohën që po shkruhen këto radhë, metropoli shqiptar vlon nga polemika: ta ruajmë apo ta rrëzojmë Skënderbeun!

Vetë shtrimi i çështjes është njollë e zezë për Shqipërinë. Dihet se kush do ta fitojë këtë polemikë, por vetë fakti që ajo ndodhi, që populli shqiptar, një shekull pas osmanllisë, ende guxoi ta lejojë një pyetje të tillë, është një turp për të.

Nën këtë ndriçim të keq, do të zbulohet ndoshta më qartë ai cen që e ka shtyrë disa herë nga gabimi në gabim. Polemika vulgare dhe imorale për rilindësit dhe Skënderbeun është shenja e një sëmundjeje më të thellë, prej së cilës kombi shqiptar, nëse kërkon një të ardhme në këtë botë, duhet të shërohet.

Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin “Dum Babën!”. E ndërkaq, mund të thuhet se janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më pa moral se ata.

Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. Të mësuar të nderojmë personazhe të shquar, artistë, politikanë e gra të bukura, në çastin kur ujërat e zeza shpërthejnë, ne kujtohemi për ata që përveshin mëngët e zbresin të punojnë mes tubave, veglave e territ, atje ku nuk guxon të zbresë kush.
Duke kujtuar se po ia hedhin publikut, intelektualët gjysmakë, ata që ushqehen kryesisht nga “Google”, merren me raportet mit-histori, pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se nocionet mit, histori, mitizim e çmitizim janë shumë më të ndërlikuara se ç‘i di mendja e tyre e ngushtë. Me nocione të tilla zakonisht, e sidomos me raportet mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime. Përpara se të jenë kundërthënëse, ato janë plotësuese, dy vizione të botës, njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, që mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin.

Seriozë nuk janë provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është, ndërkaq, problemi. Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit nuk ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejtësisht të kotë.

A ka alibi për këtë çoroditje? A ka vërtet diçka serioze për të qortuar e ndrequr në atë që është quajtur “moti i madh” i shqiptarëve? Ajo epokë, si asnjë tjetër, është zbardhur e dëshmuar në mijëra libra e studime, nga Uashingtoni në Tokio, nga Tirana, Venediku e Roma në Londër, Stokholm e Shën Petërburg. Nga kjo mizëri botimesh e faktesh del një dëshmi përgjithësisht unanime: një luftë për jetë a vdekje e shqiptarëve dhe gjithë ballkanasve kundër Perandorisë Osmane.

Një thyerje me pasoja fatale: shkatërrim fizik, kulturor, moral. Për ironi të fatit, populli shqiptar, ai që besoi se po favorizohej, pësoi goditjen më të rëndë.

Ajo ishte në logjikën osmane: popullit që iu vu shenjë për t‘u turqizuar, pikërisht ai, në rast kundërshtimi, do të ndëshkohej më rëndë. U shestuan, kështu, dy projekte paralele: shkombëtarizimi, që do të ndodhte në truallin shqiptar, shpërngulja masive, gjenocidi i fshehtë, që do të përfundonte në rrafshinat e Anadollit.

Akti i fundit i kësaj shpërnguljeje do të ndodhte në shekullin XX, si rrjedhojë e pakteve të fshehta turko-jugosllave për të zbrazur një pjesë të Kosovës.

Ajo që më së shumti vërteton jo favorizimin, por diskriminimin shqiptar, është ndalimi i gjuhës së shkruar shqipe dhe ndalimi i shkollave shqiptare.

Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme.

Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!

Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar.

Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori. Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.

Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!

Nga ky këndvështrim, mendimi gjenial i Mithat Frashërit kur e përqasi mizorinë haxhiqamiliste me atë bolshevike, e ruan ende të plotë vlerën e vet. Rrënimi i Skënderbeut, natyrshëm shfaqet këtu si synim i përbashkët i dy armiqve kryesorë të Europës, otomanizmit dhe bolshevizmit. Rrënimi i Skënderbeut është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi.

Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e nga ana tjetër mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb.

Nostalgjia e kohëve të fundit për osmanizmin, nostalgji që vetë Turqia e sotme, moderne dhe kemaliste do ta dënonte, është më shumë se shqetësuese. Çdo vonesë në zbehjen e pastaj shuarjen e saj e bën më të zezë njollën që ajo po i vë kësaj shoqërie. Raportet e një populli me lirinë janë shenja e parë identifikuese e tij. Ato janë karta e parë kredenciale, e fisme apo e pafisme, me të cilën ai shfaqet përpara familjes së popujve.

Flirtet e turbullta me robërinë dëshmojnë, as më pak, as më shumë, raportet e turbullta me lirinë. Një dëshmi e munguar për këtë të fundit, do ta vinte kombin shqiptar në bankën e turpit, si i vetmi popull në kontinent, që, duke shkelur më të epërmin ligj moral të njerëzimit, e modifikoi identitetin e vet, për t‘ia përshtatur atë robërisë.

Historia e kthyer në mit (dhe jo miti në histori) e Kastriotit ka qenë dhe mbetet një histori fund e krye pozitive, shqiptare dhe europiane. Është pjella e parë e përbashkët e Shqipërisë me Europën dhe, si e tillë, përveç që na nderon, na jep shpresë.

TRI MOTRAT HOXHA – E KISHIM KUSHËRI ENVERIN, POR NA INTERNOI 30 VJET NË SAVER TË LUSHNJËS

 Intervistoi ANI JAUPAJ

Suzana, Handani dhe Nermini, sot janë të shtyra në moshë, por dikur, vajza nga një familje e kamur, ato kishin secila nga një dhunti: në tenis, muzikë dhe gjuhë të huaja. Edhe pse fis me ish-diktatorin, pas arratisjes së të vëllait ato internohen në Savër të Lushnjes. Nga aq pak sa kujtojnë, ato tregojnë kohët kur Enver Hoxha hynte e dilte në shtëpinë e tyre, derë më derë në lagjen Palorto në Gjirokastër, për të dëgjuar radion në stacionet e huaja. Ndërsa babai i tij, xha Mullai, u administronte pronat që kishin në qytetin e gurtë



Edhe sot, që është më e moshuara ndër tri motra, Handan Hoxha, tenistja e parë femër në Shqipëri, vazhdon të jetë në qendër të të gjitha lëvizjeve në shtëpi. Sado që i ka kaluar 85 vite jetë, ka mbetur më e shkathëta. Është ajo që ngrihet e para nëse duhet mbyllur një derë, nëse duhen sajdisur miqtë me qerasje, nëse duhet gjetur ndonjë foto e vjetër nëpër sëndukët e vegjëlisë… është më elegantja. 15 vitet që është marrë me sport, kanë lënë ende shenja në fizikun e saj. Motra më e madhe, Suzana, ndryshe Suzi, siç e thërrasin të gjithë, ka qenë dikur mësuese e teorisë së solfezhit në Liceun Artistik. Më e vogla, Nermini, është marrë gjithnjë me gjuhët e huaja. Ende sot që është në prag të të 80-ave, vazhdon të ketë 2 nxënës, të cilëve u mëson anglishten. Të tria motrat, dikur, aq vite larg sa e kanë të zorshme ta kujtojnë, jetonin të lumtura në shtëpinë e tyre të madhe fare pranë

Tri motrat Hoxha, Handani, Nermini dhe Suzana në kohën e pushimeve të verës në Durrës, përpara viteve ‘40

Liceut Artistik. Mësonin gjuhë të huaja me mësues privat, merrnin mësime sporti, kalonin pushimet në një nga 4 vilat e vetme në plazhin e Durrësit, derisa gjithçka u ndërpre me thikë. Çifligjet e trashëguara nga i gjyshi e patën kohën e artë për shumë pak kohë. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje, sado që, siç mund të hamendet nga mbiemri i tyre, Hoxha, ishin të afërmet e ish-diktatorit. Me shtëpitë përballë në Gjirokastër, prejardhjen e përbashkët, e me hyrje-dalje familjare, prej tij morën pajën e vetme që të tria patën në jetë, 30 vite e 6 muaj internim. Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte ndërtuar. Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, pranojnë të flasin, duke thënë vazhdimisht që “kemi nevojë për qetësi, nuk duam intervista”. Sidoqoftë, rikthehen edhe një herë në ato vite që tashmë u shfaqen mjegullt, sepse datojnë që në kohën e Zogut…, kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve u përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nermini ndërhyn t’ia përsërisë edhe një herë. Ndërsa Handani rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.

“Ç’bëmë” ishte ajo e të parëve tuaj që ju dënoi për 30 vite?
Ishin 30 vite e 6 muaj (ndërhyjnë të saktësojnë të tria thuajse një zëri). Ishte fundi i vitit ’59, kur erdhi kamioni me policë në shtëpi e na ngarkoi për të na transferuar në Savër të Lushnjës.

Nga ju erdhi persekutimi, nga babai, gjyshi…
Në fakt, historia nis që nga gjyshi, sado që arsyeja e fundit ishte prej vëllait. Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babain në Janinë në shkollën “Zosimea”.

Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ish-diktatori e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej, babai u zhvendos në Korçë ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.

Nga ç’shkruhet e nga ç’thoni ju, pasuria ka qenë “dëmi” i parë…
Po, por nuk u shfaq menjëherë. Jetuam për pak vite mirë, ashtu siç ishim mësuar gjithnjë. Mësonim gjuhë të huaja me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej më Sali Nallbanin. Vetëm atë ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj nëpër gara ndërkombëtare. Por, përveç kësaj, luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë sajoi një fushë të vogël ping-pongu që e vumë në oborrin e shtëpisë.
Tri motrat Hoxha me të ëmën gjatë pushimeve

A nuk ishte shumë për kohën gjithë kjo liri që ju jepte babai?
Kuptoni që njerëzit përreth babait ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu. Tenisi ende edhe sot konsiderohet si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Asgjë s’i pengon në këto kohëra, por fakti që nuk e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe një herë basketboll apo volejboll, tenis jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të “pabërë”. Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait se ç’ishin gjithë këto lukse që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte “modernisimo” {(nga italishtja, shumë modern) nxiton të shtojë Handani, meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej}

Gjithë këto kanë ndodhur përpara ’44-s, apo jo?
Po, por edhe pak vite më vonë, me gjithë që nuk luanim sport, jetuam mirë. Unë (Suzi) studiova në Lice dhe arrita të diplomohem. Po aty nisa më pas të jap mësim dhe të realizoj me shumë vështirësi librin e parë të mësimeve të solfezhit në Shqipëri. Libër që natyrisht, kur u internuam, u hoq nga qarkullimi. Kam takuar ish-studentë të mi pas ’90-s, që më kanë falënderuar për mundësinë që u dhashë me atë libër. Pastaj mësoja me sovjetikët, sepse Nermini dinte mirë rusisht dhe më ndihmonte me përkthimet.

Kur ndodhën tronditjet e para?
Menjëherë pas ardhjes së komunizmit. Babai atë kohë kishte ardhur në Tiranë, në Bankën Kombëtare. Tentuan qysh në atë kohë ta fusnin dy herë në burg, por nuk ia dolën. Ishim të padëshiruar që në ato fillime, sepse nuk ishim familje e varfër, kjo ishte e “meta” jonë. Më kujtohet që drejtor i Bankës Kombëtare atë kohë ka qenë një italian që i thoshte babait “eja në Itali, mjaft ndenje këtu, sepse ke prona e do të të kenë përherë në sy”, dhe në fakt ashtu ndodhi. E hoqën menjëherë nga pozicioni që kishte dhe e lanë llogaritar si fillim. Pastaj, në ’51-shin, erdhën na hoqën nga vila që babai kishte ndërtuar, e na çuan te hauret e Ali Begesë. Kujtoj që erdhi në shtëpi i ati Enverit, i shkreti xha Mulla, si sot e kujtoj. I merrej goja, madje kur nervozohej, i ikte fare. “Ku, ku, ku, po i çoni”, u thoshte. Xha Mullai ka qenë njeri shumë i mirë, ishte ai që ka administruar edhe atë pasuri që kishim në Gjirokastër, përpara se të na e merrnin. Shtëpinë tonë në lagjen “Palorto”, përballë me të tijën, që në ato kohëra ka qenë krejt njësoj si të tjerat, pastaj kur i erdhi radha të hipte në fron, e bëri ashtu siç deshi. Nejse, ai s’pyeste ç’i thosh i ati, vrau e preu njerëzit e derës së tij, jo ne.
Handan Hoxha në një ndeshje tenisi

Po edhe ju fis me të ishit, a kishit pasur hyrje-dalje familjare?
Në kohën që babai ka punuar drejtor banke në Korçë, Enveri ishte në Liceun Francez. Natyrisht që njohja mes të dyve kishte qenë që kur Enveri ishte fëmijë, për këtë arsye e, meqenëse ishim të afërt dhe sidoqoftë ishte djalë nga Gjirokastra, vinte gjithnjë në shtëpi, na tregonte mamaja. Ajo gatuante për të e për djemtë e tjerë si Vedat Kokona, djali i hallës sonë, Asllan Beja (babi i Fatos Bejës), vëllai i Liri Gegës etj., që vizitonin shtëpinë për të lexuar, marrë ndonjë libër apo për të dëgjuar stacionet e huaja në radio. Ata flisnin frëngjisht e italisht, edhe radiot në këto sinjale stacionoheshin.

Kur ju internuan në Savër?
Siç ju thamë, jetuam për disa vite në hauret e Ali Begesë, më pas, pati një ngjarje tjetër. Vëllai ynë, që s’pranonte, ashtu si të gjitha ne, asgjë prej atij sistemi, u arratis. Bleu si fillim një motor që t’ia vinte ndonjë varke të vogël e të ikte nga deti por, meqë ashtu rrezikohej të spiunohej, iku në këmbë. Siç na tregoi kur u takuam pas ’90-s, kishte ikur nga mali i Dajtit në këmbë deri në Jugosllavi. Nuk na çuan menjëherë në Savër. Na lanë 2 muaj, sepse përpiqeshin të përdornin babain për ndonjë informacion. E panë që s’doli gjë, na hipën në kamion e na çuan në Lushnje.

Kushdo do të tentonte, të paktën për njohjet e miqësinë që kishin pasur, të ndërhynte për t’i shpëtuar gjithë kësaj, edhe sikur të dështonte. A e bëri babai juaj?
Jo, asnjëherë, iu dorëzua fatit të tij dhe as që e mori mundimin. Sidomos pasi mori vesh që vëllai kishte mbërritur mirë te daja ynë në Amerikë, që ishte arratisur që përpara Çlirimit.

Si e mori vesh, nga ju vinin informacionet?
Daja dërgonte letra të koduara dhe ne e kuptonim. Për shembull, njoftimi për mbërritjen e Asafit (kështu quhej vëllai, kishte marrë emrin e gjyshit) ishte: “Drita lindi djalë, është i shëndoshë”. Bashkë me copat e letrave na vinin edhe të holla, çka bënë që të mos e vuanim internimin njësoj si të tjerët, por të jetonim relativisht mirë. Me ato që kemi dëgjuar më vonë apo edhe në atë kohë për kampet e Tepelenës apo të Porto Palermos, themi se me siguri do të kishim vdekur.

A punonit në internim?
Babai jo, tentoi një herë të mbillte grurë, po nuk dinte dhe nuk u morën më. Mamaja jo. Handani doli një ditë të vetme dhe në darkë tha le të vijë Enver Hoxha vetë këtu të më pushkatojë, unë nuk dal më në punë. Unë me Nerminin, pamë ç’pamë, se po na tërhiqesh edhe vërejtje pse familja Hoxha nuk punonte, dhe dolëm në punë, por jo sepse kishim nevojë për para. Punuam në rrallim pambuku, punë që unë nuk e pata të vështirë, sepse i kisha të shkathëta lëvizjet e gishtave prej pianos. Më pas në rregullim arkash e kështu me radhë… punë jo të vështira.

Nga këto që tregoni, ndihet një farë tolerance. Po të donin, pas arratisjes, mund t’ju kishin bërë shumë më shumë. Ka të bëjë kjo me mbiemrin që mbani?
(Të tria motrat qeshin. Kush më herët e kush më vonë, sepse jo të tria mundën ta dëgjojnë pyetjen për shkak të dëgjimit të dobët. Ama kur e kuptuan, reagimet i patën të menjëhershme dhe krejt njësoj, për shkak të kujtimit që iu rikthye si të ishte dje.)
Nisur nga mbiemri, babait i thoshin përherë se ai ishte xhaxhai i Enver Hoxhës dhe se i biri nuk ishte i arratisur, por ishte i dërguar nga shteti në Amerikë, prandaj edhe ne kishim lehtësira. Babai kundërshtoi sa kundërshtoi pastaj tha po, xhaxhai i tij jam. Kur e pyetëm ç’ish ajo që tha, u përgjigj: “Epo mirë bëra, le të turpërohet edhe ai siç na turpëroi ne”.

Në 30 vite, nuk pati asnjë ngjarje që të lëvizte ujërat, t’ju jepte një shpresë?
Pati, pas 6 vitesh. Demek na liruan, na dhanë një pasaportë që tregonte se mund të lëviznim në të gjitha qytetet përveç Tiranës. Suzi (tregon Nermini) shkoi në Durrës, ku filloi sërish mësuese muzike dhe ndërkaq po përpiqej të gjente shtëpi të na tërhiqte edhe ne. Në këto përpjekje, unë pata një dhimbje dhëmbi dhe dentisti më thotë se duhet të bëja një radiografi, çka ishte e mundur vetëm në Tiranë. Të mos e zgjas, pas shumë peripecish e marr lejen dhe nisem. Rrugës, diku nga Rrogozhina, më ndalin e më thërrasin në Degë. Më kërkuan të bëhesha pjesë e Shërbimeve Sekrete komuniste. Ç’të dëgjoja lart e poshtë, ta raportoja. Pasi ma thanë mua dhe e refuzova, mësova se kishin bërë të njëjtën gjë edhe me babanë, prandaj po bënin sikur na nxirrnin nga internimi. Kjo ishte ngjarja e vetme, Suzin e rikthyen në Savër, babai vdiq një vit më vonë, e ne ngelëm 4 femra aty. Por të paktën nuk kishim nevojë për të holla. Po të 4-ta dolëm nga internimi dhe erdhëm në këtë shtëpi që jetojmë sot. Mamaja vdiq në ’94-n.

Po vëllain kur e takuat?
Menjëherë sapo u krijuan mundësitë, ai erdhi bashkë me familjen. Shkuam, ashtu të gjithë bashkë edhe në Savër, sepse donte të shihte ku kishim jetuar gjithë ato vite. Pastaj, më vonë kemi vajtur e kemi ardhur shpesh në Amerikë, si ne, si ai.

Kur ju internuan, të tria ju keni qenë vajza të reja, të bukura e të shkolluara. A latë përgjysmë ndonjë histori dashurie në Tiranë?
Jo, atëherë mendonim se ishte herët, pikërisht për këtë emancipimin që kishim, ndryshe nga të tjerat. I kushtoheshim punëve, argëtimit.

Po atje, në Lushnjë? 30 vite janë një jetë… nuk krijoi asnjëra prej jush asnjë lidhje?
Jo, jo. Atje, jo që jo. Ne ishim të mësuara ndryshe, niveli i bashkëvuajtësve tanë ishte krejt tjetër me atë tonin. Ka ndodhur edhe të na kenë kërkuar për t’u martuar në internim, por asnjëra nuk ka pranuar. E mblodhëm mendjen që do të jetojmë vetëm dhe, siç e shihni, ashtu kemi bërë.

Meshkujt, martesa, iu duk tema më e largët nga gjithë ato ç’kishim folur. Po aq e largët u është edhe rinia, kur me siguri, për secilën, pak apo shumë qoftë, stomaku është ngushtuar e mendja bën numra. Asgjë më s’kujtojnë. Jetojnë të tria me huqet e njëra-tjetrës. Handan-i, emri i së cilës, prej arabishtes përkthehet “optimiste, e qeshur”, është vërtet më e qeshura ndër të tria. Nermin-i, është qibarja, ndërsa Suzan-a, e zjarrta (të tri emrat janë pa nyjë shquese, pra pa zanore fundore). Babai u zgjodhi emra arabë, nga ata që për herë të parë tingëllojnë si meshkujsh, por kuptimet e të cilëve sikur u parashkruan jetën. Cilësitë e njërës kompensuan mangësitë e tjetrës. Ndryshe, bashkëjetesa për më shumë se 80 vite nuk do të kishte zgjatur kaq…

Vllehtë në hapësirat myzeqare

Studim nga JOVAN BIZHYTI



Familja e Xoxajve nga Voskopoja bëri emër të madh në Fier


Sikurse disa familje të tjera, të cilat lanë Voskopojën, pas prishjes së saj dhe u vendosën në tokat e buta dhe të begata të Fierit, edhe Xoxajt, së bashku me shumë familje të tjera sipas dëshmive të historianëve dhe pleqve të vjetër, transmetuar gojë pas goje, ndër brezat e tyre janë vendosur në lagjen “Kishë” të qytetit të Fierit, së bashku me shumë familje të tjera si Vërriaj, Papaj, Pogaçe, etj.

Shpërngulja e Xoxajve

Historiani i vjetër fierak Hysen Emiri në librin e tij “Historia e Fierit” rrëfen se si djemtë dhe burrat e rinj fierakë, mblidheshin në oborrin apo tokat e Loni Xoxës, mbrëmjeve për orë të tëra.

“Loni rrëfen Emiri ishte njeri i ndershëm i drejtë dhe plot jetë. Rreth tij mblidheshin mbrëmjeve burrat dhe djemtë e fshat-qytet Fierit”.

Shpërngulja e Xoxajt dhe fiseve të tjera është bërë fill pas fisit Papuçiu, e cila daton rreth viteve 1770, atëherë kur në Fier, nuk kishte më shumë se 200 shtëpi.

Gjeneza e Xoxajve

Donika Xoxa, një nga nuset e Xoxajve dhe pikërisht Sotiraq Xoxës, ish-mësues dhe inspektor i arsimit (edhe kjo mësuese tashmë në pension), rrëfen gjithë gjenezën e fisit të Xoxajve, i cili njihet në Fier nga emri i dëshmorit të ri 22-vjeçar, Andon Xoxës, emrin e të cilit e mban një shkollë 9-vjeçare në qendër të qytetit të Fierit.

Në shtëpinë e saj njëkatëshe, tradicionale, mbushur plot pemë frutore dhe lule, Donika tregon se tashmë Xoxajt kanë mbetur pak dhe disa familje që kanë mbetur jetojnë në Tiranë.

Gjithsesi ajo tregon se Xoxajt veç veprimtarisë së pakursyer në luftë, njihen sidomos për veprimtarinë e tyre në arsim, madje edhe në art si Jakovi dhe i biri i tij Agroni.

Bushi dhe Sotiri

Të parët e Xoxajve që u vendosën në Fier

“Mesa mbaj mend unë nga rrëfimet e më të vjetërve, tregon Donika 70-vjeçare, Xoxajt, të cilët kanë ardhur nga Voskopoja kanë qenë dy vëllezër, Bushi dhe Spiro. Fillimisht ata u vendosën në lagjen 'Kishë', por kanë toka bujqësore sidomos në Radostinë. Nga mbiemri ynë ka marrë emrin edhe toponimi Radostinë-Xoxa, fshat pranë fshatit fqinj Radostinë-Fasko, ku ende ekzistojnë tokat bujqësore të blera nga Xoxajt", tregon Donika.

Bushi, i pari i Xoxajve lindi një djalë dhe një vajzë Lonin dhe Julian. Loni Xoxa punonte në kohën para Luftës Nacional Çlirimtare dhe gjatë saj si sekretar në Bankën Di Napoli. Pas martesës Loni lindi dy djem dhe një vajzë, Jorgji, Sotiraqin dhe Uraninë.

Jorgji Xoxa së bashku me Andon Xoxën (kushëri i parë i tij) u morën intensivisht me Luftën Nacional Çlirimtare.

Jorgji ishte kryetar i parë antifashist gjatë Luftës Nacional Çlirimtar, ndërsa Sotiraqi pas luftës ishte ndër mësuesit e parë të gjuhës shqipe në Fier.

Në trungun e familjes së Xoxajve veç Lonit, ishin edhe dy kushërinjtë e parë të tij Uani dhe Nasi.

Uani lindi dy djem, Andonin, i cili ra dëshmor në Luftën Nacional Çlirimtare për çlirimin e Pogradecit dhe Petraqi, i cili ishte mjek.

Ndërsa vëllai i Uanit, Nasi edhe ky lindi dy djem, Alekon dhe Jakovin, shkrimtarin e madh të njohur për romanin e tij tipik “Lumi i vdekur”.

Jakovi pas martesës lindi dy djem, Arbenin muzikant dhe studiuesin Agron Xoxa, tregon për fundin e pemës gjenealogjike

Donika nusja e Sotiraq Xoxës, duke saktësuar se nga trungu i Spiros, vëllait tjetër që mbërriti me Bushin nga Voskopja, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë trashëgimtar.

Donika pohon se vetë ka dy vajza dhe një djalë, Dritën, mësuese dhe Bardhën nëpunëse poste, ndërsa djali Leonardi është mësues. Po kështu edhe nusja e tij Marjana Xoxa, është pedagoge e pianos në liceun artistik “Jakov Xoxa” dhe dirigjente.

"Kështu mësuesinë ne Xoxajt e kemi zanatin tonë", thotë Donika, në shtëpinë e së cilës ka 4 mësues, burri, vet ajo, djali dhe nusja.

Jakov Nasi Xoxa (1923-1979)



Jakov Xoxa, djali i xhaxhait të Andonit ka lindur më 1923 në qytetin e Fierit në familjen e Xoxajve.

Veprat e tij do të mbeten kurdoherë në tabanin e letërsisë.

Për punën e tij të palodhur, për aktivitetin e tij letrar në vitin 1970 nderohet me “Çmimin e Republikës së shkallës së parë” dhe urdhrin “Naim Frashërti të klasit të dytë”.

Në vitin 1975 dekorohet me urdhrin e "Flamurit të kuq të punës të klasit të parë".

Para luftës

Mësimet e para i mori në Fier dhe më pas në Vlorë, Kavajë dhe Berat, qytetet në të cilat familja ishte e detyruar të endej sepse ashtu e kishte natyrën e punës i ati Nasi, i cili ishte magazinier kripe.

Vitet e fëmijërisë së tij përkojnë me regjimin e monarkisë zogiste.

Ishte 13 vjeç, atëherë kur u shtyp me gjak nga kryengritja e Fierit dhe Jakovi bënte punë të ndryshme si çirak në familjen e madhe tregtare Papa, në farmacinë e vogël të qytetit etj. Në këtë kohë shkoi për të vazhduar studimet në liceun e Korçës, më vonë vazhdoi shkollën normale të Elbasanit, por e ndërpreu sërish dhe shkollën e mesme e mbaroi vetëm pas çlirimit të vendit në Tiranë.

Pushtimi fashist ngriti një valë të re zemërimi në zemrën e Jakovit të ri. Duke ndjerë nga afër hallet e popullit, duke kuptuar në thelb demagogjinë fashiste, i pajisur me një shpirt të pastër, u hodh në radhët e Lëvizjes Nacional Çlirimtare, si aktivist në grupin e të rinjve dhe më pas anëtar i organizatës së rinisë antifashiste, ai ngarkohej me detyra të ndryshme, në

Fier, Vlorë dhe Tiranë.

Nga fillimi i vitit 1943 doli partizan. Këto vite dhe të tjerat, pas çlirimit, Jakovi përpiqej ti pasqyronte në gazetën lokale “Përpjekja e rinisë”.

Pas luftës

Në dhjetor të vitit 1947 filloi studimet e larta në Jugosllavi për ti vazhduar më pas në Sofje.

Pas mbarimit të shkollës së lartë në 1952 kthehet në atdhe dhe fillon punën në Institutin e Shkencave.

Në vitin 1953 punon si redaktor i gazetës "Zëri i rinisë" ku

drejtonte rubrikën e “Tribunëve së letrarëve të rinj”.

Në vitin 1957 u emërua pedagog në universitetin e Tiranës në lëndën e teorisë së letërsisë.

Në vitin 1958 botoi vëllimin e dytë në prozë të shkurtër “Novela”. Në 1949-1950 botoi dy drama ”Buçet Osumi“ dhe ”Zemra”.

Pas botimit të novelave i pajisur tashmë me përvojë artistike duke pasur një kulturë të gjerë në fushën e letërsisë, dhe si një njohës i mirë i gjuhëve të huaja me këmbënguljen që e karakterizonte ju përvesh punës për hartimin e teksteve të teorisë së letërsisë për studentët e shkollave të larta, të cilat shquhen për nivel të lartë stilistik dhe gjuhësor.

Në vitin 1957 Jakov Xoxa fillon të punojë për romanin “Lumi i vdekur” ku vite me radhë jetoi për një kohë të gjatë me myzeqarët, ku ai bridhte fshat më fshat, shtëpi më shtëpi ku natën kthehej në dhomën e tij në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë ku punonte deri vonë.

Në vitin 1961 u botua në revistën “Nëntori” varianti i parë i “Lumit të vdekur”.

Në vitin 1971 botoi “Juga e bardhë” ndërsa deri në ditët e fundit të jetës së tij punoi në dorëshkrimin e “Lulja e kripës”, të cilën fatmirësisht e përfundoi, por që u botua pas vdekjes

së tij në 1979.

Jakov Xoxa mendonte të shkruante edhe dy romane të tjerë për të plotësuar ciklin e vet të romaneve të konceptuar në formën e një iksi ("x").

Vdiq më 17 shkurt të vitit 1979 prej një sëmundjeje të rëndë.

Irena Mërtiri

Andon Uan Xoxa (1922-1944)

Dëshmori 22-vjeçar që u vra për çlirimin e Pogradecit

Andon Xoxa ka lindur në lagjen “Kishë” të qytetit të Fierit në janar të vitit 1922 në një familje të mesme për nga gjendja ekonomike, por tepër patriotike dhe liridashëse.

Më 30 qershor të vitit 1935 mbaroi shkollën fillore në qytetin e lindjes. Pas vitit 1935 babai i tij Uani e regjistroi në shkollën e mesme tregtare të Selanikut në Greqi.

Pushtimin fashist, ashtu si Xoxajt e tjerë dhe familjeve të tjera atdhetare Andoni e priti me urrejtje të madhe dhe për këtë qëllim ndërpreu studimet. Jo vetëm kaq, por ai mori pjesë intensivisht në veprimtarinë antifashiste dhe për këtë qëllim fashistët e arrestuan në prill të vitit 1942 dhe në janar të vitit 1943 e liruan.

Pas kësaj veprimtaria e tij ilegale nuk kishte më kuptim. Ai doli partizan në prill të vitit 1943 dhe fillimisht u inkuadrua në Brigadën e I sulmuese. Luftoi me heroizëm deri në 18 prill të vitit 1944 ku ra heroikisht në luftë për çlirimin e qytetit të Pogradecit, në moshën 22-vjeçare.

Nga Flori Bruqi : Nesër në Prishtinë përurohet romani i Jakov Xoxës “Lulet e Kripës”

Romani “Lulet e Kripës” i Jakov Xoxës promovohet nesër

Nesër (21 prill 2017), në orën 12:00, në Institutin Albanologjik mbahet përurimi i romanit dyvëllimësh "Lulet e kripës" (i plotësuar dhe i ripunuar) të autorit të njohur, Jakov Xoxa.

Për romanin "Lulet e kripës" dhe në përgjithësi për veprën letrare të Jakov Xoxës, do të flasin:

Akad. Rexhep Qosja,Akad. Nasho Jorgaqi,Prof. dr. Agim Vinca,Prof. dr. Shefkije Islamaj dhe

Prof. dr. Hysen Matoshi.

Në përurim, të pranishëm do të jenë edhe familjarë të shkrimtarit Jakov Xoxa.

*****


Jakov Xoxa u lind në Fier, më 15 prill 1923. shkollimin fillor e mori në Fier, Vlorë, Berat, pasi familja e tij lëvizte sëbashku me të atin, që ishte punonjës I thjeshtë. Shkollimin e mesëm e filloi në Liceun e Korcës, e vazhdoi në Elbasan dhe e përfundoi në Tiranë, pas Luftës së Dytë botërore. Për arsye ekonomike ka bërë punë të ndryshme që në moshë të re. U lidh herët me luftën kundër fashizmit: më 1943 doli partizan. Studimet e larta i ndoqi një vit në Beograd, por i mbaroi në Sofie për gjuhën dhe letërsinë frënge. Ka punuar në Institutin e Shkencave dhe te gazeta Zëri i Rinisë. Shumë vjet ka qenë professor i teorisë së letërisë në Universitetin e Tiranës. Në këtë periudhë shkroi disa tekste universitare për teorinë e letërsisë. Më pas ka qenë shkrimtar në profesion të lirë. Jakov Xoxa, një pjes të madhe të jetës e ka kaluar në Myzeqe, ne Pojan dhe Apolloni dhe po aty ka shkruar veprat e tij kryesore. Ai jetonte në Myzeqe për shkak të bindjeve të tij realiste. Trevat dhe njerzit e Myzeqesë kanë qenë njerzit objekt i përhershëm i krijimtarisë së tij.


Po ato, nuk mund të pasqyroheshin me realizëm dhe vërtetësi, sic kërkonte estetica realiste, pa njohjen e tyre të drejtpërdrejt.


Të jetuarit e tij në Myzeqe ishte pjesa e procesit të krijimit letrar, sepse, me njohjen e problemeve dhe të tipave të jetës, pikërisht, atje zinte fill edhe frymëzimi, edhe krijimi i tij. Jakov Xoxa e kuptonte realitetin e jetës si element të fuqishëm krijimi.
Reagiteti, shkruante ai, jep lëndën; problemet, temat, idetë, konfliktet, tipat, karakteret, atmosferen etj., pa të cilat nuk mund të ketë krijim realist. Kurse fantasia e shkrimtarit, sipas tij, e merr fuqinë e vërtetë nga reagiteti, nga jeta. Por jeta bëhet pjes e vetëdijes dhe e përjetimit të shkrimtarit, bëhet objekt i krijimit të tij vetëm duke e njohur nga afër dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ja, pse Jakov Xoxa jetonte dhe punonte vazhdimisht në Myzeqe. Vdiq më shkurt 1979, në Budapest, pas një sëmundje të pashërueshme.



Mjeshtri i rrëfimit epik

Botimet e para latrare të Jakov Xoxës janë në vitin 1945 në gazeta. Ka botuar regime, novela, drama dhe romane.

Veprat kryesore:

1- Novela, 1949
2- Novela, 1958
3- Lumi i vdekur, roman 1965
4- Juga e bardhë, roman 1971
5- Lulja e kripës, (vëll.I 1980, vëll II 1981, roman pas vdekjes).

Ndihmesat kryesore të tij janë në llojin e romanit, të cilat qëndrojnë në themelet e romanit realist shqiptar, edhe si përvojë krijimi, edhe si vlera latrare.
Romanet e tij dallohen në letërsinë shqiptare për pikëvështrimin e gjerë ndaj jetës dhe vërtetësinë e paraqitjes së saj, për larminë e madhe të personazheve, për origjinalitetin dhe karakterizimin e theksuar realist të tyre, për linjat e shumta të veprimit dhe simetrinë kompozicionale, për begatinë gjuhësore, që ushqehet mjaft në të folurën popullore etj.


Por disa nga veprat e tij nuk mund t’u shpëtonim dot skemave të realizmit socialist.
Jakov Xoxa ishte shembull i shkrimtarit që e punonte dhe e ripunonte veprën deri në cakun e fundit të mundësive të tij. Ai e punonte atë me kujdesin më të madh dhe në gjithëcka: si në figurat themelore ashtu edhe në hollësitë e saj. Dhe, po ashtu, e ripunonte shume herë, derisa gente trajtën më të mirë. Lexuesi, thoshte Jakov Xoxa, nuk do të dijë fare se sa lodhet shkrimtari dhe as nuk do t’ia dijë se sa kohë e mban ai veprën e tij në dorë për ta punuar. Lexuesi cmon vetëm veprën, prandaj gjithë mundi i shkrimtarit përmblidhet te veprat e saj. Me dhuntitë e tij të rralla si prozator dhe po aq me punën e tij krijuese të jashtëzakonshme, Jakov Xoxa mbetet një nga mjeshtrit e shquar të rrëfimit të gjerë epik në prozën shqipe. Romani i tij më i rëndësishëm është Lumi i vdekur.

Personazhet – shëmbëlltyra të tipeve shoqërorë

Lumi i vdekur në letërsinë shqiptare shquhet sidomos për gdhendjen realiste të personazheve dhe për larminë e tyre. Në këtë roman ka një varg personazhesh të gdhendura me realizëm dhe vërtetësi. Të tillë janë: Pilo Shpiragu, Koz Dynjaja, Sulejman Trafili, Vita, Suat bej Vërdhoma, Lip Gjanica, Adili etj. Disa prej tyre si, p.sh., Pilo Shpiragu, Koz Dynjaja, Vita janë të plotë dhe arrijnë në shkallën më të lartë të personazheve realiste në prozën shqipe. Ato dallohen për karakterizimin botëkuptimor, psikologjik dhe ndjenjësor. Secili prej tyre, sic ngjet në romanin realist, shëmbëllen një tip shoqëror, me botëkuptim, psikologjinë, ndjenjat, mëndësitë karakteristike me gjuhën e vecantë etj. Nëpërmjet atyre janë shëmbëllyer disa nga tipat kryesorë të jetës shqiptare për të cilët rrëfehet.
Personazhi i Pilo Shpiragut është shëmbëllimi i tipit të fshatarit pa tokë, pa mbrojtje shoqërore dhe pa vetëdije shoqërore. Personazhi i tij është i plotë dhe i shumanshëm, me kundërshti të forta në vetvete, me lëkundje dhe zigzake të mëdha. Ai karakterizohet sidomosnëpërmjet dialogut dhe monologut, që gati janë të barazvlefshëm, por karakterizohet edhe nëpërmjet rrëfimit dhe përshkrimit. Dialogu dhe monologo dramatik, duke nxjerr në sipërfaqe thellësit e mbyllura të psikologjisë së tij, zbulojnë kundërshtitë, lëkundjet dhe zigzaket e tij të brendshme. Në dy rrethana të ngjashme, p.sh., Pilo Shpiragu mban dy qëndrime të kundërta. Këto dy qëndrime janë dhe skajet e lëkundjeve të tij të mëdha.

Rrethana e parë: ai plagos Veli bej Vërdhomën, që tentoi të cënonte nderin e së shoqes së tij. Ky është shkaku që beu, pronar i tokës, e dëbon atë familjarisht nga fshati Grizë. Për të ruajtur nderin dhe dinjitetin, Piloja merr përsipër të përballoj dëbimin nga fshati, që ishte shkatërrimi ekonomik më i madh. Në rrethanën e parë, Pilota pranon të mbetet pa mjete pune dhe jetese, por të ruaj nderin dhe dinjitetin.

Rrethana e dytë: pas shumë stërmundimesh, kur tregtarët Gjanica i heqin përsëri nga dora të gjitha mjetet e punës dhe të jetesës, familja e Pilos mbetet edhe më keq. Në mes të këtij shkatërrimi të plotë ekonomik, shpreson te ndihma e Suat bej Vërdhomës, që e shihte si të vetmen mundësi shpëtimi. I përhumbur në arsyetime pa rrugëdalje, e shpie të bijën shërbëore te Suat bej Vërdhoma, megjithëse në fshat njiheshin babëzitë e tij epshore. Në rrethanën e dytë, përball vështirësive ekonomike të pakapërcyeshme, Pilota e ka humour krenarin e dinjitetit, madje e ka humour edhe ndjeshmërinë ndaj nderit. Karakteri i tij krenar fillon te epet, morali i tij i lartë bie. Ai mbërrin, kështu, në prag të bjerrjes morale, por nuk është rrëzuar.
Mjerimi ekonomik, si forca shkatërruese më e madhe, rrëzikon moralin, dinjitetin dhe personalitetin njerëzor.
Personazhi i Pilos karakterizohet edhe nëpërmjet përshkrimit realist të portretit të tij të jashtëm, bie fjala, nëpërmjet përshkrimit konkret të shtatit, fytyrës, gjesteve, veshjes etj. Prandja figura e tij, e karakterizuar me realizëmtë thellë dhe me vërtetësi të madhe, është shëmbëlltyrë e gjallë e fshatarit të asaj kohe.
Personazhi i Koz Dynjasë është shëmbëlltyrë e tipit të fshatarit pa tokë, me vetëdijë shoqërore kryengritëse dhe të indoktrinuar me idetë comuniste. Prandaj edhe ndryshimet shpqërore dhe ekonomike i pret me dhunë, me revolucion si në Rusi. Mënyra kryesore e karakterizimit të tij është e folura ironie që përdor ndaj kundërshtarëve. E folura e tij ironie shpreh jo vetëm përbuzjen, por edhe epërsinë e tij mentore dhe morale ndaj Suat bej Vërdhomës, qehallarëve etj.
Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash, prandaj gati receptohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale. Ajo më tepër përjeton dashurinë sesa jeton me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet e fortë në krejt romanin, kurse bëmat dhe sjelljet shihen më pak. Zgjimi I ndjenjavedashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, aq sa duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron atë. Përshkrimet për zgjimin e saj dashuror dhe zhvillimin femëror janë ndër më emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Edhe marrëdhëniet e saj me të tjerët, kryesisht, janë marrëdhënie ndjenjash. Si bijë vuan dhimbjen e madhe për vdekjen e parakohëshme të së ëmës, si motër provon herëtdhembshurinë për vëllanë dhe motrën e vogël jetime; si vajzë e sinqert dhe pa paragjykime përjeton thellë dashurinë erotike për Adilin.
Dashuria për Adilin njëjtësohet me vetë jetën e saj, me kënaqësit sublime, me bukurinë dhe lumturinë e jetës.
Vita, gjithashtu, është simbol I pasioneve rinore të vrullshme dhe të pandalshme, është simbol I dashurisë që cel edhe në kënetën e jetës, edhe në mes të fanatizmit, symbol I gëzimit dhe I përtëritjes së jetës; simboli I femrës që ngacmon erotikisht njerëzit dhe poetizon krejt mjedisin.
Në karakterizimin tepër dallues të personazheve një rol të madh luan gjuha dhe e folura e tyre. Si fjalori që përdorin, ashtu edhe mënyra e të folurit, përputhet me botëkuptimin dhe gjendjen e tyre shoqërore, me veprimtarinë jetësore, me ndjenjat, mëndësitë, karakterin, pasionet e tyre etj. Personazhi I Pilo Shpiragut, p.sh., ka fjalorin e kufizuar të fshatarit të pa shkollë dhe të pa dalë nga fshati, vetëm me fjalë të jetës fshatarake. Me natyrën e tij të mbyllur në vetvete, për shkak të pasigurisë të përhershme dhe të mosbesimit ndaj të tjerëve, Piloja flet pak, shkurt dhe në mënyrë të prerë. Si mëshirim I fshatarit të mencur e të matur, I formuar me filozofinë praktike të jetës, shpesh dialogun me shprehje të përpunuara në trajtën e fjalëve të urta. E folura e tij, në një masë, është e ngurtësuar, sepse është e trashëguar bashkë me mënyrën e jetesës, mëndësit dhe zakonet.
Suat bej Vërdhoma, që është shëmbëlltyrë e një tipi të shtresës së lartë të bejlerëve, ka një fjalor të larmishëm. Ai flet pëer bujqësinë, shtetin, ligjet, zakonet, kurthet, mashtrimet, qejfet, seksin etj., që janë edhe interesimet e tij. Si mishërim I pronarit sundimtar, e folura e tij zakonisht është në trajtën e urdhërit, por edhe me shprehje fyese ndaj bujqëve, rojave dhe vartësve. Kurse si mishërim I tiranit djallëzor të fshatit, përdorë fjalë me nënkuptime, herë nxitëse dhe mikluese, herë ndaluese dhe fshikulluese.
Personazhet e Sulejman Tafilit, Adilit dhe personazhet e tjera të familjes kosovare dallohen edhe më tepër prej të folurës së tyre në dialektin geg. E folura e tyre në gegërisht ringjall përkatësinë krahinore dhe, krahas saj, zbulon traditat, zakonet dhe mendësitë e tyre. Gjuha e këtyre personazheve është më e thukët, por me rrjedhë të njëtrajtshme, plot shprehje karakteristike dhe fjalë të urta. Kështu, Jakov Xoxa, në letërsinë shqiptare, mbetet nga mjeshtrit e karakterizimit të theksuar të personazheve nëpërmjet fjalës së tyre. Personazhe të tilla realiste, kaq të ngjashme me tipat e njëmendtë të jetës, sic janë te Lumi I vdekur sjellin me vërtetësi jetën e gjallë të kohës për të cilën rrëfehet.

Dramatizimi – nderje emocionale

Lumi I vdekur ka një dramatizëm të theksuar. Ai përftohet prej konflikteve të forta ndërmjet personazheve.
Personazhet kryesore, zakonisht, janë disa konflikte njëherësh, prandaj secili prej tyre është hero I një drame më vete. Kështu, romani përbëhet nga një varg dramash të forta të lidhura me njëra – tjetrën. Familja Shpiragu, bie fjala, është në disa konflikte njëherësh me rrethin shoqëror dhe, po ashtu, brënda kësaj familjeje ka disa mikrokonflikte.

Mbishtresa simbolike, shenjë e stilit modern

Lumi I vdekur ka edhe një mbishtresë simbolike, që e rrit ndjeshëm shprehinë e tij. Lumi, rruga, qerrja, rrotat e qerres nuk janë vetëm objekte kryesore të romanit, por janë dhe simbole. Fjala e parë e titullit është lumi, që në kuptimin më të përgjithshëm, simbolizon rrjedhën e kohës, e cila shkon pa kthim, rrëmben dhe fshin gjithcka. Kurse në kuptimin më konkret simbolizon rrjedhën e jetës shqiptare të kohës që rrëfehet. Titullohet Lumi I vdekur, sipas një hidronimi të njëmendtë në Myzeqe. Rrjedha e jetës shqiptare përngjasohet kështu me Lumin e vdekur. Lumi I jetës shqiptare, sipas shëmbëlltyrës së romanit, është edhe ai I vdekur dhe I shterur, me tërë atë mjerim e varfëri, prapambetje, padituri dhe mungesë të ardhurash për të jetuar. Dhe, po ashtu, vërshimi I papritur I Lumit të vdekur, që përmbyt gjithcka, përngjan me shkatërrimin e përgjithshëm e të papritur që sillte kriza ekonomike e atyre viteve, si dhe lufta që sapo kishte filluar.
Qerrja shtëpi me të cilën mbartet familja e Pilo Shpiragut nga Griza në Trokth, d.m.th. nga fshati I dëbimit në fshatin e shpresës, është shenja e një qëndrueshmërie, e një bashkimi të fortë familjar, që mund t’I përballojë vështirësitë e reja. Ndërsa qerrja- - shtëpi në rrugën e madhe simbolizon vazhdimësinë e jetës dhe të shpresave, por edhe vazhdimësinë e varfërisë së skajshme, të pasigurisë dhe të vuajtjeve.
Në Pyllin Mbret, që është vendi I kuajve të egër, strehoen të dashuruarit e arratisur, Vita dhe Adili. Pylli Mbret është symbol I hapësirës së lirisë shoqërore dhe morale, I dashurisë së pastër e të pakërcënuar, është pylli I ëndrrave dhe I shpresës.
Kapja e kuajve të egër në Pyllin Mbret është një alegori për plojën e Luftës së Dytë Botërore, që po afronte. Kapja në lak e kuajve të egër, alegorikisht është kapja e dhunshme e njeriuttë lirë në lakun e ushtrisë dhe luftës.
Apolonia, qyteti I lashtë Ilir, me gjetjet arkeologjike ringjall lashtësinë e panjohur prej vetë shqiptarëve; ringjall lashtësinë e keqpërdorur nga padituria e tyre.
Edhe qeleshja e Adilit në shumë rrethana ka funksion simbolik, madje është simboli më emocional. Ajo është sinjal I ngacmimeve dashurore të Vitës. Por, është edhe sinjal I shqetësimeve atërore të Pilos, sic është dhe ngacmues I fanatizmit dhe I xhelozisë së vëllait, Llazit. Dhe, herë pas here, ajo është shkëndija që ndez thashethemet, mërinë, dashamirësinë, rivalitetin, ose lakminë për Vitën. Qeleshja e bardhë, që përngjan me dëborën veriore të Kosovës, prej nga kanë zbritur tafilajt krenarë, është metonimi simbolizues e disa tipareve kryesore të vetë personazhit që e mban. Shfaqja e qeleshesriaktivizon emocionet që shkaktohen prej cilësive dalluese të Adilit, sikurse janë: burrëria, dinjiteti I pacënueshëm, besa, krenaria e tepruar, vetëpërmbajtja, sinqeriteti e naiviteti, tradicionalizmi e fanatizmi. Në sytë e Vitës, qeleshja herë – herë, shfaqet si një ëndërr e bukur e dashurisë, por e largët dhe e paarritshme. Prandaj, qeleshja e bardhë shkakton vazhdimisht ngacmime emocionale të ndryshme.
Mbishtresa simbolike është një nga shenjat e stilit modern bashkëkohor, që ndërfutet në stilin realist të Jakov Xoxës. Në këtë tërësi simbolike veprojnë edhe parashenjat, që janë një vecori tjetër e stilit të tij.

Pasuria e madhe gjuhësore

Lumi I Vdekur vecohet në prozën shqipe edhe për pasurinë e madhe gjuhësore. Pasuria e madhe gjuhësore vjen te Lumi I Vdekur, si një roman tjetër, nëpërmjet të folurës së personazheve, kanë rrjedhë gjerësisht jo vetëm burimet popullore të toskërishtes, por edhe të gegërishtes.
Fjalori I tij është shumë I begatë. Në të janë përdorur të gjitha strukturat leksikore: fjalët e pafundme të përdorimit të përditshëm, profesionalizmat bujqësore dhe blegtorale, krahinorizmat, historizmat, barbarizmat etj.
Krahinorizmat, edhe një pjesë e profesionalizmave bujqësore, krijojnë ngjyresën e njëmendtë të vendit të ngjarjeve, d.m.th. ngjyresën krahinore të Myzeqesë. Historizmat dhe barbarizmat etj., krijojnë ngjyresën karakteristike të kohës së rrëfyer, d.m.th. krijojnë ngjyresën historike të viteve ’30 të shekullit XX. Prandaj, te Lumi I Vdekur janë tepër të përcaktuara, tepër të konkretizuara si koha e rrëfyer ose koha e ngjarjeve, ashtu edhe hapësira dhe mjedisi ku zhvillohen ngjarjet.
Fraza, si e rrëfimit ashtu dhe e përshkrimit, është e gjatë dhe e përbërë, sepse shpreh krahazi shumë kumtime. Ajo është e ngarkuar përplot me kumtime, madje, herë – herë, është edhe e mbingarkuar. Një frazë e tillë, me dëndësi të mëdha kumtimesh, krijon shëmbëlltyrën e gjerësisë së jetës, krijon gjerësinë e rrëfimit dhe të përshkrimit epik.
Pasuria e madhe gjuhësore e romanit Lumi I Vdekur është shprehja më e drejtpërdrejtë e pasurisë së madhe të mendimeve dhe të ndjenjave që janë ndryrë në të.


******


Lumi i vdekur.JPG

Ngjarjet te romani "Lumi i vdekur"i Jakov Xoxe-s shtrihen brenda viteve 1938 -1939 të shekullit XX. Rrëfimi i ngjarjes në romanin "Lumi i vdekur" fillon me shpërnguljen e dhunshme të familjes së Pilo Shpiragut nga fshati Grizë dhe mbyllet pas një viti, me shpërnguljen po të kësaj familjeje, tani nga fshati Trokth. Brenda këtij harku kohor janë vendosur një varg ngjarjesh, kryesisht dramatike, me intensitet shkallëzues. Qerrja e ngarkuar me plaçkat e shtëpisë nis rrugën pa ditur ku do të degdiset. Sa për një natë Pilo Shpiragu vendos të strehohet tek hani i Bishtanakës, ku rastësisht ai do të gjejë "shpëtim" te tregtarët e Fierit, të cilët do ta punësojnë në fermën e fshatit Trokth. Në të njëjtën kohë ai do të njihet dhe me familjen kosovare të Sulejman Tafilajt.idohet nga shija dhe ndjenja e ardhacakut, e të huajit, prandaj e nënshtruar do të provojë të përshtatet në kushtet e reja, si dhe familjet e fshatit Trokth të vendosura në luftë të përhershme për t'u mbrojtur dhe për të siguruar ekzistencën. Paralelisht me këto rrjedha dhe e gërshetuar me to do të zhvillohet edhe lidhja intime mes vashës së Shpiragajve me emrin Vita dhe kosovarit Adil. Kjo linjë nga ana e vet ka shijen dhe domethënien e një simbolike. Pakti mes Pilo Shpiragut dhe tregtarëve të Fierit nuk do të arrijë ta mbushë as rrethin kohor të një viti. Përmbytja simbolike e fshatit nga lumi i përçudnuar solli pasoja tragjike për Shpiragajt, të cilëve dhe ç'ka u mbeti nga gjëja e gjallë do t'ua rrëmbejnë përsëri trëgtarët. Kështu, familja Shpiragaj mbeti në mes të rrugës më e vetmuar dhe më pa asgjë se kurrë më parë. Ballë për ballë me rrezikun për të mbetur pa ekzistencë, që të mbiietojë, Pilo Shpiragu ai vendos t'i bindet përsëri beut dhe të pranojë kërkesat e tij që si viktimë të parë lakmonte Vitën, ai vendos ta punësojë atë kopile në oborrin e beut. Por, shpleksja e narracionit të romanit do të nisë me arratisjen e Vitës dhe të Adilit në male.
Figura e Pilo Shpiragut (dhe e familjes Shpiragaj) është strumbullar që i lidh tërë rrjedhat narrative të romanit. Ky përcaktim kompozicional i autorit ka rezultuar që, edhe pse bëhet fjalë për një nga romanet më voluminose të letërsisë shqiptare, rrjedhat fabulare të tij lidhen përmes një kohezioni të qëndrueshëm, të brendshëm. Edhe atëhere kur rrëfehen "mesele" nga urtia dhe përvoja jetësore e popullit, që në fakt është karakteristike e rrëfimit romanesk të këtij autori, ato, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi, lidhen dhe kanë të bëjnë me shtratin bosht të ngjarjes së rrëfyer. Pilo Shpiragu është figurë tek i cili është përqendruar vëmendja e autorit. Dhe, ai, Pilo Shpiragu, është nisur të jetë i përkryer si njeri, që ta ruajë deri në fund pastërtinë, por ligjet e jetës mbi të kanë rënë me tërë brutalitetin dhe në çaste të caktuara e kanë detyruar të lakohet. Megjithatë, Pilo Shpiragun e përjetojmë si figurë që rrezaton domethënie përgjithësuese, si person që shpreh dhe një pjesë të sprovave e të dilemave të kohës së vet. Autori mëton që në tiparet e tij (edhe te Koz Dynjaja) të koncentrohen paragjykimet dhe morali i fshatarëve shqiptare të kohës; përmes tyre ai arrin të realizojë tipizimin letrar për rrethanat e mjedisit shqiptar të asaj kohe. Natyrë energjike dhe me inisiativë Pilo Shpiragu beson se do të arrijë pavarësinë ekonomike të familjes, falë krahëve dhe djersës së vet, duke mos e ndjerë nevojën për solidaritet. Por ky ishte një iluzion. Pilo Shpiragu, këtë nevojë do ta ndjejë vonë. Edhe figura e familjes kosovare, ajo e Sylejman Tafilajt, në vetvete është bërthamë që mpleks jehona të rëndësishme nga drama e përgjithshme kombëtare. E dëbuar dhunshëm nga pushtuesi serb ajo nuk do të rehatohet në moçalet malarike të Myzeqesë dhe nuk do ta gjejë ngrohtësinë e mjedisit. Fati i familjes së arratisur dhe të dëbuar kosovare do të vazhdojë dhe në epokën e komunizmit shqiptar. Jakov Xoxa i ka vërejtur me mprehtësinë e intuitës krijuese raportet mes fshatarëve të Myzeqesë dhe të Kosovës që në fillim e kanë përjetuar si kundërshtar njëri-tjetrin, si palë që do ta rrezikonte apo vështirësonte ekzistencën e secilit. Tek romani Lumi i vdekur, krahas rrjedhave spontane të veprimeve të personazheve, qoftë të përcaktuara ato nga shtysat e jashtme ose të brendshme, ndjehet ndërhyrja e autorit, sado e fshehtë qoftë. I tillë duket dhe veprimi i arratisjes së dy të rinjve, i Vitës dhe Adilit. A është ky një veprim i paramenduar si zgjidhje e mundshme, apo vetëm veprim i turbullimit të çastit, që se ka të qartë ecjen, drejtimin, cakun? Sikur ky vendim të ishte vendosur në një kontekst tjetër kohor, bie fjala në fillim të viteve '30, do të dukej plotësisht pa rrugëdalje, si një ikje drejt një horizonti fare të mbyllur. Kurdisjen e zgjidhjes si arratisje nga kurthi, autori e bën duke thirrur në ndihmë një alibi të fortë: arratisja në fund të viteve '30 përputhet me fillimin e një përmbysjeje të madhe historike, përmbysje që do ta sillte dhe që e solli Lufta e Dytë Botërore. Vetëdijshëm apo jo, dy të rinjtë do të gjenden në krahët e kësaj lëvizjeje për ndryshime të mëdha. Një parim tjetër në praktikën krijuese të Jakov Xoxës është edhe synimi për të rrëfyer bindshëm. Ai që rrëfen, pra tregimtari në emër të autorit, dëshiron ta bindë lexuesin në atë shkallë vërtetësie që nuk është e mundur pa qenë njëherë i bindur vetë, ai që rrëfen. Ky parim tregimtar e kultivon praktikisht sqarimin, arsyetimin, mbështetjen absolute të çdo detaji dhe të çdo veprimi. Një dimension që romanin e Jakov Xoxës e bën tërheqës, është ndjenja se tërësinë e fabulës e rrëfen një dëshmitar i vërtetë i ngjarjeve dhe se ky tregimtar thotë të vërtetën, di të zgjedhë fjalë e shprehje të vërteta, t'i shqiptojë qetë ato, të nxisë kërshërinë për të dëgjuar e për të ditur " Ç'ndodhi më vonë"; të zgjojë interesim për personazhet. Kështu, Jakov Xoxa në mbështetje të përvojës krijuese realiste dhe të filozofisë jetësore të shpirtit kolektiv, ka artikuluar stilin, shkollën e vet në zhanrin e romanit shqiptar në përgjithësi.